Transmetuar më 09-10-2017, 18:12

Pas akuzave të kryeministrit Edi Rama në drejtim të AKU-së, ka reaguar ish-drejtori i këtij institucioni Dritan Sejko. Në një deklaratë të gjatë për mediat, ish- kreu i AKU-së uron që vëmendja e Qeverisë ndaj AKU-së të mos mbetet vetëm në pjesën e propagandës por të jetë reale.

Kjo pasi sipas tij, pavarësisht se pjesën me të madhe të mandatit të kaluar drejtimin e AKU-së e ka patur vetë partia e Kryeministrit, prapë së prapë nuk ka patur fare vëmendjen e Qeverisë.

Për ish-drejtorin e PDIU-së, Rama dhe Ministri Peleshi kanë informacione të pasakta rreth funksionimit dhe kompetencave të AKU-së dhe për këtë jep dhe argumentet.

Postimi i Dritan Sejkos:

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama dhe Ministrit Peleshi, jam plotësisht i bindur që kanë informacione dhe këshilla krejtësisht të pasakta, për arsye që po mundohem t'i them shkurtimisht.

1-Kontrolli në dogana nga AKU është një praktikë që e ka çdo vend i pavarur në këtë planet. (Në qoftë se nuk do kishte kontroll në dogana me rastin e skandalit të mishit të Brazilit, Shqipëria do kalonte në kolaps të sigurisë ushqimore e për rrjedhojë në kolaps të sigurisë kombëtare).

2-Përsa i përket gjobave që ka vënë AKU, po ju rikujtoj një statistikë të publikuar së fundmi të sezonit turistik ku janë bërë rreth 3000 inspektime nga të cilat janë vënë rreth 20 gjoba dhe janë kryer afro 900 paralajmërime, çka do të thotë që synimi ka qenë sensibilizimi dhe informimi i biznesit dhe jo ndëshkimi. (Ndoshta kjo info nuk i ka shkuar Ministrisë nga këshilltarët?!)

3-Për therjet në rrugë AKU në bazë të ligjeve në fuqi nuk ka asnjë të drejtë ligjore më shumë se çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, pra të njoftojë Policinë e Shtetit dhe atë Bashkiake. (Gjë e cila është bërë vazhdimisht).

AKU aktualisht është e pafuqishme të veprojë në qoftë se nuk ndryshon baza ligjore dhe nuk mbështetet nga Qeveria me infrastrukturë ndihmëse. (AKU nëpër drejtori rajonale nuk ka asnjë mjet transporti, drejtoria e përgjithshme e disa drejtori rajonale ushtrojnë aktivitetin në kushte të mjerueshme pune).

4- Përsa i përket pajisjeve laboratorike të pavëna në punë, do të doja t'i sillja në vëmendje Kryeministrit që i kanë dhënë informacion absolutisht të pavërtetë. (Ndoshta "informuesit" i referohen pajisjeve laboratorike të trashëguara në dekada nga drejtoritë e bujqësisë që kanë po aq kohë që janë jashtë funksionit për efekt amortizimi.)

Pa dashur të zgjatem më, uroj që vëmendja e Qeverisë ndaj AKU-së të mos mbetet vetëm në pjesën e propagandës, por të jetë reale, sepse pavarësisht se pjesën më të madhe të mandatit të kaluar drejtimin e AKU-së e ka patur vetë partia e Kryeministrit, prapë së prapë nuk ka patur fare vëmendjen e Qeverisë.

"Të paktën një punë të mirë e paskemi bërë, e kemi bërë AKU-në çështje Kombëtare ashtu siç e meriton të jetë në fakt!"

AKU, që të funksionojë ashtu si i ka hije një institucioni të një Shteti që aspiron të jetë pjesë e vendeve të Bashkimit Europian, ka nevojën e mbështetjes reale të Qeverisë së vet, por edhe të të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Uroj dhe shpresoj që kjo të ndodhë realisht! /b.l/noa.al/