Transmetuar më 09-10-2017, 17:29

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit Rama nga Lezha për vendosjen e TVSH-së për bizneset e vogla. Përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook Vasili thotë se kryeministri tha se po ia vë TVSH-në biznesit të vogël që të mos fitojnë oligarkët, por kjo sipas tij është qesharake.

“Kryeministri na la, dëgjoni ç’thotë: "do të rrënoj të varfrit, që të varfëroj oligarkët." Pu pu ç’kryeministër qesharak është ky! Nga Lezha tha:"po ia vë TVSH-në biznesit të vogël që të mos fitojnë oligarkët". Domethënë: "do shkatërrojmë të varfrit, që të varfërojmë të pasurit",- thotë ky kryeministri ynë i paditur gjer në dhembje. Një budallallëk të tillë kolosal vetëm ai mund ta thotë”, shkruan Vasili.

Më tej Vasili thekson se “Ngaqë është shkollëpakët e tallin edhe ministrat e tij dhe i thonë fjalë dhe shpjegime, që ai dihet që nuk i merr vesh fare dhe vetëm i përsërit si papagall i varfri, se ai vetë nuk lexon e nuk kupton gjë prej gjëje. Telekomandën e shkollëpakut e kanë oligarkët në dorë, por këta të fundit u treguan më të sinqertë dhe dolën sot paradite dhe deklaruan me gojën plot se janë shumë të lumtur me TVSH-në, që shkollëpaku po i vë bizneseve që luftojnë për bukën e gojës”.

Në fund Vasili kërkon që dikush ta informojë këtë haluçinant që sipas tij mijëra njerëz që mbajnë me gjak e djersë bizneset e tyre të vogla të mbijetesës po mbeten pa punë, pa bukë dhe pa shpresë, ndërsa ky zgërdhihet si derr i kënaqur në stanin e oligarkisë.

Më herët kryeministri Rama, nga Lezha ku ka prezantuar para banorëve buxhetin e vitit të ardhshëm, ka rikonfirmuar drejtimin e reformës financiare të ndërmarrë nga kabineti i tij.

Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se të gjitha bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së, ndërsa ka shtuar se në luftën kundër informalitetit do të merren masa ndaj evazionit të kompanive të mëdha, që sipas tij shfrytëzojnë ato të vogla. 

“Kemi nisur operacionin për ta çuar në një fazë të re luftën kundër informalitetit. Ajo çka nuk është normale është se beteja kundër reformës nga opozita bëhet me argumente katastrofike. Do mbyllen kaq biznese në ditë, do bëhet hataja, etj. Njësoj siç bëhej kur do zbatohej reforma në arsimin e lartë”, ka deklaruar Rama. /b.l/noa.al/