Transmetuar më 09-10-2017, 15:26

Prej kësaj të shtune, Parku i Pallatit të Brigadave do të jetë i hapur për publikun çdo fundjavë. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.

“Prej kësaj të shtune, Parku Fantastik i Pallatit të Brigadave do të jetë i hapur për publikun çdo fundjavë”, shkruan Rama.

Pallati Presidencial, i njohur si Pallati i Brigadave u projektua nga arkitektët italianë në fillim nga Gulio Berte dhe më pas u përfundua nga Gherardo Bosio në vitet 1939- 1941.

Fillimisht ishte destinuar për familjen mbretërore (Mbreti Zog I) por ndërtimi i tij nuk arriti të përfundonte deri në vitin 1941.

Ndërkaq Mbreti Zog ishte larguar nga Shqipëria që në vitin 1939 si pasojë e pushtimit italian të vendit.

Ky park është një galeri e vërtetë me skulptura mitologjike, i ndërtuar sipas modelit të Tempullit të Muzave, i kultit mitologjik të Apollonit, realizuar në vitet ’30-’43.

Duke filluar nga viti 1992, pas rënies së komunizmit, emri zyrtar i këtij institucioni është "Pallati Presidencial". Që nga viti 1945 ndërtesa shërben si Pallat Presidencial për pritje zyrtare. /b.l/noa.al/