Transmetuar më 08-10-2017, 19:15

Lorik Cana është gati për mbrëmjen e veçantë për të, ku do t’i japë tani lamtumirën Kombëtares shqiptare, pavarësisht se ka kohë që ka lënë futbollin.

Një jetë në futboll… një jetë për Kombëtaren… Legjendat që kanë bërë historinë e futbollit janë të shumtë dhe kanë pak a shumë të njëjtat karakteristika: Kanë mbetur në zemrat e tifozëve, janë shkaktarë të emocioneve të forta, të rrahjeve të shpeshta të zemrës, të brohoritjeve.

Njëri prej tyre, që më shumë sesa legjendë e futbollit, është legjendë e Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, që të hënën do të shkelmojë për herë të fundit topin dhe do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur pas 388 ndeshjeve si futbollist profesionist në klube dhe 93 përballjeve me fanellën e Kombëtares, si asnjë tjetër deri më tani.

Lorik Cana, në një rrëfim për “Panorama Sport” tregon pse u vonua kaq shume ceremonia lamtumirëse e pensionimit të tij dhe pse zgjodhi pikërisht këtë kundër Italisë.

“Në fakt, dëshira ka qenë që të bëhet më herët. Fillimisht ideja ishte që të bëhet në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, për faktin se ceremonia e lamtumirës bëhet afër kohës kur e lë futbollin”, u shpreh Cana.

“Tani ka kaluar shumë kohë. Dëshira ishte që të bëhej gjatë një miqësoreje, një takim i posaçëm i përfaqësueses që të isha disa minuta në fushë duke luajtur herën e fundit që do të lija futbollin”.

Mirëpo, kompeticioni, planet dhe programi nuk e mundësuan diçka të tillë. E morëm vendimin, maksimumi brenda një muaji për ta organizuar duke folur me familjen, me federatën dhe me miqtë. Është vonë, por duhet të bëj një përshëndetje me njerëzit në ndeshjen e fundit që do të luhet në vendin tonë”, shtoi ish kapiteni.

“Është një kualifikuese kundër Italisë, e cila do të ketë shumë njerëz në stadium dhe menduam që më mirë ta bëjmë tani, sesa mos ta bëjmë fare”.

“Kështu që ishte momenti i fundit, pasi më vonë se kaq nuk mund ta shtynim dot, duke qenë se një lamtumirë pas dy vitesh që kam lënë futbollin, nuk ka kuptim. Madje, edhe me kaq në 15 apo 16 muaj, jemi vonë. Preferoj ta bëj tani se më vonë nuk ka më kuptim”, theksoi mes tjerash Cana.