Transmetuar më 06-10-2017, 17:29

Kryeministri Edi Rama prezantoi pasditen e sotme platformën e koalicionit me njerëzit e zakonshëm, ku tha se qytetarët do të jenë pjesë e vendimmarrjes.

Ai mohoi që përmes këtij mekanizmi të hapet një gjueti shtrigash se njerëzit mund të sulen me denoncime e të marrin njerëz nëpër gojë, pasi tha se platforma pranon vetëm anëtarë real me identitet të verifikuar si pjesëtarë të këtij koalicioni qeverisës.

Kreu i qeverisë mohoi që platforma të jetë si Facebook ku një individ mund të futet me shtatë emra.

Rama bëri me dije se çdo person që regjistrohet për të qenë pjesë e këtij procesi dhe për ti dhënë vetes statusin e anëtarit të koalicionit, do ti dalë për zot edhe çdo denoncimi për sjellje abuzive apo korruptove, për ngjarje apo informacione shqetësuese që do i ndajë.

Ai tha se mbas ekranit do të qëndrojë një grup i tërë njerëzish që do të ndjekin në kohë reale, çdo opinion, kërkesë apo ankesë dhe do të bëjë verifikimin për çdo ankesë që lidhet me persona apo me informacione të caktuara.

Rama deklaroi se pas kësaj platforme për të cilën shfaqën interes 800 persona, nga dita e hënë do të jenë në gatishmëri 25-30 persona të përzgjedhur, të cilët do të ndahen në grupe.

Ai tha se grupi qendror do të jetë në Kryeministri dhe grupet e tjera në çdo ministri, sipas të gjitha kategorive që ka platforma, ku opinionet, kërkesat, ankesat, sugjerimet, nismat do të ndahen sipas kategorive.

Rama shtoi se zgjidhja e problemit apo ankesës jepet nga titullari i institucionit dhe çdo anëtar i kabinetit qeverisës do të mbajë përgjegjësi për përgjigjen.

Kryeministri tha se do të raportohet në mënyrë periodike për gjithçka denoncohet në platformë dhe që është e regjistruar.

Duke prezantuar grafikisht platformën online, siç mund të shihni në videon më poshtë tha se ka një dritare ankesash me një nëngrup dritaresh se ku bëhet ankesa, qarku, institucioni etj.

Rama tha se qytetarët do kenë të drejtë, natyrisht nëpërmjet disa kritereve që të thërrasin nga Kryeministri te ministrat për interpelancë, kur një grup qytetarësh shprehin shqetësim për një çështje të caktuar. /a.y/noa.al