Transmetuar më 06-10-2017, 11:33

Sot në orën 20: 45  luhet ndeshja Spanjë –  Shqipëri. Në mungesë të 3 prej titullarëve, trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci ka vendosur të bëjë pragmatistin, duke u shtrënguar mirë në mbrojtje.

Me Berishën të konfirmuar nga minuta e parë, italiani ka vendosur të rreshtojë 5 mbrojtës. Përkrah Gjimshitit dhe Ajetit është dhe Balliu, ndërsa nga krahët janë të njëjtët, kapiteni Agolli dhe Hysaj.

Në mesfushë rikthehen bashkë Xhaka e Kaçe, së bashku edhe me Bashën e konfirmuar prej disa ndeshjesh. Si mesfushor nga e majta mund të llogaritet dhe Grezda, ndërsa Sadiku do të jetë i vetëm për të bërë repartin e sulmit.

Në mungesë të zv.kapitenit Mërgim Mavraj, shiriti i kapitenit në këtë ndeshje pritet që t’i kalojë Elesid Hysajt. Mbrojtësi i Napolit e ka mbajtur edhe më parë këtë pozicion, madje shihet edhe si kapiteni i së ardhmes.

Nga ana e tij Panucci gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi dy ndeshjet e fundit eliminatore ndaj Spanjës dhe Italisë, u shpreh se ato nuk janë aspak përballje të lehta.

Panucci i ka konsideruar si më të rëndësishmet për imazhin e Shqipërisë, dhe për këtë arsye ai ka njoftuar se nuk do të bëjë eksperimente, por do të zbresë në fushë grupin historik të kombëtares. /b.l/noa.al/