Transmetuar më 05-10-2017, 14:38

Pas largimit të Lorik Canës, shiriti i kapitenit në ekipin tonë Kombëtar ka prodhuar gjithmonë debate, megjithatë u duk sikur u stabilizua me vendosjen e Ansi Agollit.

Por, në stërvitjen e djeshme, trajneri Panucci nuk e ka përfshirë mbrojtësin në formacion, çka lë të kuptohet se shiriti i kapitenit do t’i kalojë një tjetër futbollisti.

Në mungesë të zv.kapitenit Mërgim Mavraj, shiriti i kapiteni në këtë ndeshje pritet që t’i kalojë Elesid Hysajt.

Mbrojtësi i Napolit e ka mbajtur edhe më parë këtë pozicion, madje shihet edhe si kapiteni i së ardhmes.

Nga ana e tij Panucci gjatë konferencës për shtyp ku prezantoi dy ndeshjet e fundit eliminatore ndaj Spanjës dhe Italisë, u shpreh se ato nuk janë aspak përballje të lehta.

Panucci i ka konsideruar si më të rëndësishmet për imazhin e Shqipërisë, dhe për këtë arsye ai ka njoftuar se nuk do të bëjë eksperimente, por do të zbresë në fushë grupin historik të kombëtares, me “kushtin” e vetëm që të shndërrohen në "11 luanë”. /b.l/noa.al/