Transmetuar më 04-10-2017, 19:50

Emri i Enea Bekteshit, i riu që u arrestua sot në Cërrik si një nga personat që ishte brenda makinës së blinduar “Audi”, që goditi atë të policisë më 18 shtator, figuron në shkresën që Prokuroria i kërkonte policisë ta vinte në përgjim si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale në qytetin e Elbasanit, shkruan BalkanWeb.

Ai dyshohet se është pjesë e grupit të njohur si banda “Çela” që disa muaj më parë, më 6 gusht 2017 qëlloi antitank biznesin e fisit” Çapja”, me të cilët kanë rivalitet në fushën e krimit.

Po ashtu Enea Bektashi dyshohet të jetë pjesëtar në masakrën e 3 shkurtit në Elbasan.

Pas përplasjes në Elbasan, opozita shqiptare akuzonte se ne makinën “Audi” ndodhej Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çela, pronarit të Tregut Agroushqimor.

Prej ditësh forcat speciale janë përqendruar në Elbasan, në disa aksione të cilat duket se kanë marrë një dimension tjetër pas deklaratave të forta të ambasadorit LU, i cili tha se në vend ekzistojnë 20 banda kriminale.