Transmetuar më 02-10-2017, 11:09

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, bën një deklaratë të fortë lidhur me sistemin e drejtësisë.

Duke folur ditën e sotme në 20-vjetorin e shkollës së Magjistraturës, deklaroi se sistemi i drejtësisë e la në baltë Fildes Hafizin, gjyqtaren që u vra në 31 gusht nga ish-bashkëshorti.

Sipas tij, vdekja e Fildesit nuk duhet të shkojë dëm, por se duhet të jetë frymëzim për të gjithë të diplomuarit e Shkollës së Magjistraturës për të vazhduar punën e saj për t’i dhënë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar.

“Lulzim Berisha u lirua gabimisht nga burgu. Vetitingu do fillojë javën që vjen, ky proces do të bëhet me profesionalizëm. Shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë larguar kriminelët nga parlamenti. Parlamenti i 2017 është më i mirë se ai i mëparshmi”, u shpreh ambasadori Lu.

Ai tha se sfida më e madhe dhe më e vështirë është ende përpara Shqipërisë, lufta kundër krimit të organizuar.

Ambasadori deklaroi se derisa peshqit e mëdhenj të arrestohen, ndiqen penalisht dhe të futen në burg, kanabisi do të kthehet, gjyqtarët do të marrin rryshfet dhe zyrtarët qeveritarë do të korruptohen.

“Katër klane kryesore kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave, dhe pastrimi i parave. Shqipëria ka një treg të zi jo të vogël për mallra kontrabandë, në radhë të parë duhan, bizhuterì, makina të vjedhura dhe telefona celularë. Vendi mbetet në rrezik domethënës nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit të kudogjendur dhe një sistemi ligjor të dobët”, tha ai.

Më tej shtoi se janë disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë, si trafikanti i dënuar i drogës Emiljano Shullazi, për të cilët media pretendon se vazhdon të kryejë trafik droge dhe armësh nga qelia e paraburgimit.

Ose Lul Berisha, kreu i bandës së dhunshme të Durrësit që gabimisht u lirua herët nga zyrtarët e burgut, tha ambasadori, duke kujtuar se kjo çoi në arrestimin e drejtorit dhe avokatit të burgut, por në mënyrë të mistershme, Lul Berisha mbetet i lirë.

“Dhe së fundi, magjistari Klement Balili, një trafikant ndërkombëtar droge, i kërkuar nga Greqia dhe Agjencia e Zbatimit Anti-Drogë (DEA) e SHBA, por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 18 muaj falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ka edhe shumë Shullazë, Lul Berisha dhe Klement Balilë të tjerë në Shqipëri. Pyesni cilindo oficer policie dhe ai apo ajo do të tregojë edhe një duzinë tjetër drejtuesish të krimit që meritojnë të jenë në burg”, deklaroi Lu.

Ai vijoi më tej duke thënë se drejtuesit e krimit në Shqipëri rrallë arrestohen dhe pothuajse kurrë nuk ndiqen penalisht. /a.y/noa.al