Transmetuar më 01-10-2017, 16:42

Nexhmia jeton prej 20 vitesh në emigracion dhe kthehet sot në Shqipëri për të ftuar motrën e saj, Lumturien në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, sepse dëshiron ta bëjë për herë të parë të lumtur. Ajo rrëfen rreth martesës së motrës së saj në vitin 1971 me shkesi dhe se bashkëshorti i saj kishte probleme me alkoolin. Familja e tij e përbuzte, nuk kishin të ardhura ekonomike, ndaj të gjithë i thonin të divorcohej prej tij, por atëherë konsiderohej turp.

“Kur ishte me djalin e tretë, motra nuk i mbante dot. Atëherë nuk bëheshin kështu gjërash si tani, nuk e do fëmijën dhe e heq. I rekomandon njëra, i thotë bëj një gjilpër kafshësh që të heqësh fëmijën. E bëri këtë gjilpërë, por fëmija nuk u hoq. Fëmija u sëmur, është 35 vjeç tani, me të meta mendore. Ajo këtë e ka shumë pikë të dobët sepse thotë:’ Jam unë ajo që e bëra këtë djalë kështu.’ Ndoshta s’ka qenë dhe ajo, ka qenë fati i tij.” Nexhmia tregon se Lumturia dhe katër fëmijët e saj rriheshin e torturoheshin, duke e bërë të pamundur jetesën. Këshilli i lagjes mundi ta divorconte, pasi familja e tyre nuk funksiononte më. Ish – bashkëshorti mori dy fëmijët e mëdhenj, ndërsa Lumturia djalin e sëmurë dhe vajzën. “Ishte shumë e re, nuk e çante dot jetën vetëm. U martua. Sikur të mos mbaronte kjo histori e saj, pijanec dhe ky tjetri. Torturë e jashtëzakonshme.”

Në vitin 1997  humbi jetën një prej djemve të saj, duke e detyruar të kthehet në atë shtëpi që ishte përbuzur, vetëm e vetëm për të varrosur të birin. Me kalimin e viteve fëmijët u stabilizuan dhe vazhduan jetën e tyre, por ajo ende ndihet e dhunuar dhe e torturuar, duke menduar se asnjë nuk e do. “Ajo ka arritur deri sa ka thënë: ‘Kur të vdes dua të më hidhni sheqer në varr se e kam gjakun të helmuar’. Megjithëse Nexhmia dhe familja e saj kanë këmbëngulur që Lumturia të shkojë të jetojë me ta në Gjermani, ajo nuk ka pranuar.   Sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” për Lumturien nuk ka ardhur vetëm motra e saj, por edhe djali i madh, Arturi. I pyetur nga Ardit Gjebrea nëse e ka parë ndonjëherë të ëmën të lumtur, ai e mohoi. Gjithashtu në studio janë shoqja e Lumturies, vëlla Kujtimi me bashkëshorten, si dhe nipi i saj 5 – vjeçar, që ka marrë emrin e djalit të vdekur, Kastriot. Lumturia pranon ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vjen në studion e “E Diela Shqiptare”. E pyetur nga Ardit Gjebrea për të treguar ditën më të lumtur të jetës së saj, ajo hesht dhe më pas shprehet se nuk di kë të thotë si dhe që është zënë ngushtë.

Lumturia shikon në ekranin e murit ndarës motrën e saj dhe përloten të dyja. Nexhmia – Zemra e motrës je ti! Më fal që të gënjeva parmbrëmë, isha duke ardhur këtu. Në rradhë të parë kam ardhur këtu që të të them të mendosh më shumë për veten tënde. E dimë shumë mirë se sa ke vuajtur ti në jetë. Për mua je një mbretëreshë, nuk je motër! Edhe nëse je rënduar gjëkundi, nuk ke thënë kurrë një fjalë. Të duket vetja sikur je e papërfillur nga ne, sikur nuk të do asnjëri. Motra ka ardhur këtu të të thotë dhe një gjë tjetër, që ti do më japësh fjalën sot përpara gjithë këtij publiku të mrekullueshëm. Ti do vish në Gjermani të rrish ca ditë. Të shikosh dhe ti njëherë Gjermaninë, të shikosh dhe ti ditë të bardha, që s’ke parë kurrë në jetën tënde.

Arditi – Lume, unë dua të të bëj të lumtur sot, do t’i lemë lotët!

Lumturia – Shumë faleminderit! S’ma merrte mendja kurrë që do vinte.

Nexhmia – Motra për ty e bën natën ditë, ti e di shumë mirë! Do më kthesh përgjigje se ke 5 vite e gjysëm që më thua që do vish.

Lumturia – Do vete …

Nexhmia – Mos e mendo që ne nuk të duam, motra të do shumë! Unë jam në Gjermani dhe mendjen e kam këtu te ty.

Shoqja – Mos kujto se të do vetëm Nexhi! Unë të dua shumë, jam gjithmonë me ty. Dua të të shoh gjithmonë të lumtur, të qeshur.

Vëllai – Lume, e mban mend ditën e parë që më çove në shkollë? Atë dorë nuk do të ta lëshoj kurrë! Të dua shumë!

Djali – Nënë të dua shumë! Ke qenë dhe do mbetesh mbreterësha e jetës sime!

Nipi – Nëna Lume të dua shumë!

Të gjithë njerëzit e saj të zemrës shkuan dhe e puthën, duke na treguar se kur je i rrethuar me dashuri jeta të bëhet më e lumtur dhe më e bukur./ tvklan.al