Transmetuar më 25-09-2017, 17:06

Një fushatë kreative nga Shqipëria, ndër më të mirat në Europën Juglindore për 2017!

Fushata e krijuar nga New Moment Tirana për USAID në Shqipëri “Gratë munden, Gratë ia dalin”, u përzgjodh ndër 25 fushatat më të mira për Europën Juglindore për 2017, këtë fundjavë.

Fushata “ Gratë munden, gratë ja dalin”, e krijuar nga agjencia e komunikimit New Moment Tirana për USAID, e prodhuar në bashkëpunim me Kube Studios, u përzgjodh ndër 25 fushatat më të mira të Europës Juglindore për 2017, në festivalin BalCannes në Rovinj, Kroaci, që u mbajt këtë fundjavë si pjesë e manifestimit madhor Weekend Media Festival.

Fushata “Gratë munden. Gratë ia dalin”, rriti ndërgjegjësimin për faktin se midis nesh ekziston një diskriminim i thellë gjinor ndaj grave, fenomen i përhapur gjerësisht në shoqërinë tonë. Ky mentalitet, i pranishëm si te burrat ashtu edhe te gratë, është diçka për të cilën shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm dhe është përgjegjës për "diskriminimin e pandërgjegjshëm" që hasim çdo ditë dhe që rezulton në përfshirje më të ulët të grave në vendimmarrje politike, ekonomike dhe vendime të tjera në fushën sociale.

Fushata kishte një qasje krijuese shumë unike dhe inovative. U bazua në një eksperiment social të kryer mbi njerëz nga profile të ndryshme. Njerëzit e ftuar u informuan për historitë e suksesit të 6 personazheve shqiptarë anonim dhe iu kërkua të përshkruanin se si ata i përfytyrojnë këta njerëz, duke u bazuar vetëm në informacionin që dëgjuan për secilin prej tyre. Pothuajse të gjithë të anketuarit po imagjinonin dhe përshkruanin një burrë, bazuar vetëm në faktin se 6 personat ishin shumë të suksesshëm. Në realitet, të 6 individët e suksesshëm ishin femra - Florentia Erjola Xheko, Inva Mula, Klodiana Shala, Luiza Gega, Liljana Luani dhe Diella Loshi!

"Ky vlerësim është një motiv i madh për të gjithë ne në agjenci, pasi tregon se kemi kreativitet të nivelit më të lartë dhe ky fenomen është i vazhdueshëm. Puna jonë në industrinë e komunikimit është krijimi i një mënyre për të tërhequr audiencën e synuar që të ketë interes në informacionin, produktet apo situatat të cilat u paraqesim. Kur publiku përfshihet emocionalisht në një shkallë të tillë, aq sa që fillojnë ta përhapin vetë mesazhin tonë dhe të punojnë për të njëjtën çështje, atëherë është e qartë se kemi bërë një punë të mirë. Kjo është arsyeja pse kemi në kënaqësi të veçantë që fushata jonë u bë ndoshta fushata më e shpërndarë me publiku, nga vetë publiku në Shqipëri. Dhe sidomos jemi të kënaqur, sepse ishte një fushatë për një temë vërtet të rëndësishme dhe aktuale”, - tha Oliver Petrovski, Drejtor i Përgjithshëm i New Moment Tirana.

Fushata ngjalli një reagim dhe ndikim masiv në mediat kombëtare dhe lokale, në mediat sociale dhe midis publikut të gjerë në Shqipëri. U bë fushata e komunikimit më e shpërndarë ndonjëherë në mediat sociale në Shqipëri.

Fushatën “Gratë munden. Gratë ia dalin” mund ta shikoni te linku këtu ose më poshtë: