Transmetuar më 23-09-2017, 15:23

Kontrollet policore në kuadër të operacionit të koduar "Vjeshtë 2017" kanë vijuar edhe në kryeqytet. Policia ka bërë të ditur se ka bllokuar 8 makina luksoze, ku njëra prej tyre është e blinduar.

Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe 2 lokale kazino ku ushtrohej aktivitet i kundëraligjshëm i lojërave të fatit, e në njërin prej tyre bëhej edhe shitblerje të lëndës narkotike kokainë.

Në pranga është vënë pronari i lokal kazinos Kristaq Sinaj, 34 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale "Armbajtje pa leje", ku ushtrohej aktiviteti i kundraligjshëm i lojërave të fatit dhe shitblerjes të lëndës narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokal kazinon e Kristaq Sinaj në rrugën "Mikel Maruli" është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 3 doza të dyshuara të lëndës narkotike të llojit kokainë të cilat rezultuan të peshës 1.4 gramë, 3 tavolina pokeri, 30 fisha për organizim lojërash fati dhe enë me mbetje lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë.

Gjithashtu po procedohet në gjendje të lirë pronari i lokalit tjetër S.R., 23 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lokalin e tij në rrugën "Mikel Maruli", ushtronte aktivitet të kundraligjshëm të lojërave të fatit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara janë bllokuar 7 mjete luksoze dhe 1 mjet i blinduar, të dyshuara të blera nga të ardhura të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, në ngarkim të shtetasit Kristaq Sinaj, për veprat penale "Përshtatja e lokalit për përdorim droge", "Prodhim dhe shitje të lëndës narkotike", "Organizim i pa lejuar i lojërave të fatit" dhe "Vënia në dispozicion të lokaleva për lojëra të palejuara", dhe për veprën penale "Organizim i palejuar i lojërave të fatit", në ngarkim të shtetasit S.R. /b.l/noa.al/