Transmetuar më 23-09-2017, 14:33

Të parët që e kanë gjetur të pajetë Alban Kaloshin ka qenë personeli i urgjencës në spitalin e Peshkopisë. Atë e sollën aty dy persona, e hodhën në oborr nga mjeti i tyre viktimën dhe u larguan duke humbur gjurmët.

Mësohet se personeli që shërben në urgjencën e këtij spitali ka parë dy persona të panjohur që kanë nxjerrë nga makina një person dhe janë larguar me shpejtësi.

Sapo mjeku roje dhe infermieret kanë dalë nga urgjenca, kanë gjetur të pajetë shtetasin Alban Kaloshi, shkruan Panorama. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë se në oborrin e spitalit është gjetur një viktimë.

“Ka qenë ora 03:30 kur kemi dëgjuar zhurmën e një makine dhe kemi dalë në derën e urgjencës. Kemi parë dy persona që ikën me shpejtësi. Nuk i dalluam kush ishin. Iu afruam personit që hodhën aty dhe pamë që ai kishte vdekur”, janë shprehur për policinë personeli i urgjencës së spitalit të Peshkopisë.

Mjekët i kanë telefonuar me shpejtësi sallës operative, por deri në mbërritjen e efektivave të Komisariatit të Peshkopisë personat ishin larguar në drejtim të lagjes “Kamen”. Viktima është dërguar në morgun e spitalit.

Aty ka mbërritur eksperti ligjor dhe prokurori i Dibrës. Gjatë këqyrjes së kufomës është konstatuar një plagë plumbi me hyrje në kraharor dhe dalje në shpinë. Sipas mjekut ekspert, viktima Alban Kaloshi, 42 vjeç, është qëlluar me armë zjarri, tip pistoletë.

Një ditë pas ngjarjes, strukturat e policisë Dibër zbardhën dhe rrethanat. Në pranga u vunë dy persona, autori i dyshuar Viktor Xhevahir Elezi, 37 vjeç, banues në fshatin Pollazhan Dibër dhe përkrahësi i tij Veli Titini, 24 vjeç, banues në fshatin Brest i Poshtëm, Dibër. 

Arrestimi i Viktor Elezit u bë pasi dyshohet se ditën e djeshme rreth orës 01.30 në një lokal në fshatin Blliçe, Dibër, dyshohet të ketë vrarë me armë zjarri tip pistoletë shtetasin Alban Kaloshi, 42 vjeç, banues në Blliçe, Dibër. 

Në deklaratën e tij Elezi është shprehur se ngjarja ka ndodhur nga pakujdesia dhe se sipas tij gjithçka ka qenë aksidentale.

Ndërsa 24 vjeçari Veli Titini, u arrestua pasi ai ka qenë i pranishëm në momentin që është qëlluar me armë zjarri 42 vjeçari nga Viktor Elezi, por është larguar dhe nuk është paraqitur për të dhënë shpjegime pranë organeve të policisë për ngjarjen si person që ka pasur dijeni për veprën penale të ndodhur. /b.l/noa.al/