Transmetuar më 23-09-2017, 09:15

Banesa e shefit të qarkullimit të Mirditës Gjovalin Toma 53 vjeç është sulmuar me armë rreth orës 03:00  të mëngjesit të së shtunës 23 shtator. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka të lënduar.

Plumbat kanë goditur muret e shtëpisë ndërsa dy plumba kanë depërtuar në brendësi të banesës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje ku kanë nisur hetimet.

Policia njofton se ka ngritur pika kontrolli dhe ka nisur të bëjë krehjen e zonës për të kapur autorët që qëlluan me breshëri arme banesën e shefit të qarkullimit të Mirditës.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes teksa mësohet se janë ngritur disa pista hetimi ndër të cilat dhe ajo për shkak të detyrës.

Vetë Toma është shprehur i befasuar nga ngjarja, pasi sipas tij ai nuk ka asnjë konflikt. Ai pretendon se autorët mund të kenë gabuar shënjestër, pasi nuk ka pasur asnjë konflikt. /b.l/noa.al/