Transmetuar më 22-09-2017, 20:18

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Rama për Shkozën. Në një deklaratë për mediat, kreu i opozitës tha se Shkoza përfaqëson mashtrimin e pafytyrë të Ramës që ju premtoi legalizim në fushatë, dhe pas zgjedhjeve u vë rrushën.

“Drama e 400 familjeve që po hidhen në rruge, nuk përfaqëson asgjë, thotë Rama i bezdisur kur pyetet në New York për hallet e vendit. Shkoza përfaqëson mashtrimin e pafytyrë të Ramës që ju premtoi legalizim në fushatë, dhe pas zgjedhjeve u vë rrushën.

Shkoza përfaqëson krim prej pushtuesi mbi mijëra fëmijë, prindër e të moshuar nën terror dhe dhunë fizike dhe psikologjike. Shkoza përfaqëson bandën politiko-kriminale që ka marrë peng Shqipërinë dhe të ardhmen tonë. Shkoza përfaqëson pësimin që duhet bërë mësim se kush dhunon apo blen votën sot, të dhunon shtëpinë, fëmijët dhe jetën nesër”, shprehet Basha.

Më herët edhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili u shpreh se kryeministri përbuz shqiptarët.

“Kryeministri përbuz shqiptarët nga Amerika. Kryeministri Edi Rama ka folur për rastin e Shkozës gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, këtë të premte. “Shkoza s’përfaqëson asgjë dhe s’meriton besoj koment deri në Uashington dhe Nju Jork”.

Këto tha ky kryeministër i egër me qytetarët dhe superficial e i paditur si në çdo gjë që bën e thotë. Qëndrimi i tij është i egër e pa mëshirë edhe për fëmijët e Shkozës, që s’dinë se ku do të mësojnë dhe prindërit e tyre, që ndodhen përpara shkatërrimit pa kthim të djersës, gjakut dhe mundit shumëvjeçar”, shkruan Vasili.

Në një intervistë për VOA, Rama ka folur lidhur me situatën e Shkozës, ku shumë banesa do të shemben në sajë të projektit për rehabilitimin e Lanës.

“Shkoza nuk përfaqëson asgjë dhe se nuk meriton asnjë koment nga Nju Jorku. Ata që kanë shembur pa leje do tu prishen ndërtesat. Patjetër që nuk pranohet që as të dëmshpërblehet dhe as të ledhatohet. Familjet do të akomodohem me mundësitë e tyre. Shteti ka detyrë tu shërbejë qytetarëve. Të bësh shtet të bësh punë dhe të bësh mirëqenie nuk ka shumë rrugë”, tha Rama. /b.l/noa.al/