Transmetuar më 22-09-2017, 19:58

Moderatori Labinot Gashi, prej 17-vjetësh në ekran, mes shumë personazheve të njohur të ekranit, vazhdon të jetë në top listën e prezantuesve më të pëlqyer për natyrën e tij të hapur me publikun.

Siç është mësuar edhe javët e fundit nga mediat e Kososvës, Labi dhe Qëndresa do të kurorëzojnë dashurinë e tyre në Prizren në një ditë shumë të veçantë për çiftin.

Meqenëse fejesën, moderatori i njohur ia bëri surprizë partneres së tij më 13 prill, dita kur ajo kishte ditëlindjen, më 15 tetor, ditën e lindjes së tij, mendoi të kurorëzonte martesën.

I ftuar këtë pasdite në “Rudina”, Labi rrëfeu edhe disa sekrete të panjohura më parë për publikun. Labi dhe Qëndresa janë prej 4-vjetësh bashkë. Njohja e tyre ka qenë një prej ngjarjeve më interesante që, me siguri, ata të dy e tregojnë sot me shumë humor.

“Unë isha me koncerte, atë verë në Ulqin. Po punoja për emisionin dhe në hotelin ku rrija, shikoja Qëndresën çdo ditë me kushërirën e vet dhe me motrën. Një prej kolegeve të mia, tërë kohën më thoshte “e mirë bre Lab, e mirë bre Lab”. Nga kjo u shtyva edhe më shumë për të parë. M’u duk interesante….” – tregon Labi.

Pas njohjes së parë, asgjë nuk ndodhi, dilnin, shoqëroheshin, derisa, një natë, Labi pa në hollin e hotelit një mace (kafsha që ai dashuron më shumë). Kurrë nuk mund ta mendonte se mund të lidhej me dikë që kishte tmerrësisht frikë nga macet.

Pasi Qëndresa e kishte vënë re, ishte strukur diku dhe ia kishte nisur të qarës nga frika. Kaq ishte… Sfida e Labit sapo kishte nisur. Ai duhet ta bindte që ajo t’i dashuronte macet.

“Pasi dola nga hoteli, aty ia nisi gjithçka, aty filloi… Pse i ke frikë  macet, duhet t’i duash macet, ato nuk të  bëjnë  keq etj. etj.“

Një mace u bë shkak për një lidhje që është e destinuar të jetë përgjithmonë: “Unë i kam thënë veç një gjë, duhesh me dashtë shumë macet”.