Transmetuar më 22-09-2017, 13:44

Presidenti Ilir Meta mblodhi sot Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku u diskutua informacioni i paraqitur në Këshill në lidhje me takimin e zhvilluar nga Kryeinspektori dhe Sekretari i Përgjithshëm i KLD-së, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Pasi u analizua informacioni, anëtarët shprehën një zëri vullnetin e KLD-së, për të bashkëpunuar më të gjithë Institucionet shqiptare dhe Institucionet partnere ndërkombëtare, që kanë asistuar në procesin e Reformës në Drejtësi, për të çuar përpara procesin.

Gjithashtu, në emër të Këshillit, Presidenti deklaroi se KLD dhe Inspektorati i saj do të përmbushin të gjitha detyrimet që do i ngarkohen nga ky proces. Për të rakorduar qëndrimet më institucionet që merren me procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve, përfshi edhe miratimin e akteve të përbashkëta, KLD vendosi të ngrejë një grup pune prej katër anëtarësh, të cilët do rakordojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë të përhershme lidhur me ecurinë e procesit dhe problematikat.

Përbërja e grupit të punës do jetë si më poshtë:

-Vangjel Kosta, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Kuvendi.

-Gerd Hoxha, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore.

-Neritan Cena, anëtarë i KLD-së, zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore.

-Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. 

Bazuar në rendin e ditës mbledhja vijoi me shqyrtimin e projekt-akteve përfundimtare të vlerësimit, të përgatitura nga Kryeinspektori i Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nr. 261/2, datë 14.04.2010 “Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”.

Në përfundim të këtij shqyrtimi, si dhe pas vlerësimit të ankimeve përkatëse, Këshilli miratoi aktet e vlerësimit për 15 gjyqtarë.

Si pikë të fundit të rendit të ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar funksionin e gjyqtarit. /a.y/noa.al