Transmetuar më 22-09-2017, 12:55

Ish-Presidenti Bujar Nishani thotë se krimi ka nisur të ndëshkojë shtetin. Ai deklaron se opozita denoncoi para dy ditësh një akt kriminal të një lloji të veçantë sipas tij, krahasuar me ato që ndeshim pothuajse çdo ditë rrugëve të vendit.

Nishani thotë se, një grup dukshëm i strukturuar kriminal sulmon në një akt gati vrastar me makinë të blinduar mjetin e forcave të policisë në Elbasan.

Në vijim shton se shkaku formal sipas deklarimit zyrtar të policisë ishte sekuestrimi i disa makinave luksoze në pronësi të anëtarëve të këtij grupi.

“Në Shqipëri ka patur vijimësisht aktivitet kriminal të grupeve të strukturuara si të tilla. Por veprimtaria e tyre shoqërohej me frikën nga goditja prej strukturave të shtetit. Ndaj krimi përpiqej të fshihej sa më shumë prej tij, të largohej sa më larg nga ai por edhe të tentonte kompromentimin e individëve të caktuar të tij. Sot rolet kanë ndryshuar”, shkruan Nishani në Facebook.

Krimi i organizuar ka nisur të ndëshkojë shtetin, me akte publike madje, shprehet ish-Presidenti, duke nënvizuar se gangsterët e bandave kriminale ndihen tashmë me pushtet mbi policinë.

“Ata e shohin policinë si shërbyese të tyre e jo si përndjekëse e shkop force për ta. Kjo ishte e pritshme, për fat të keq. Nëse policia jo vetëm nuk i goditi ata gjatë kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, por madje i inkurajoi dhe në raste të caktuara bashkëpunoi me ta, s’kishte si ndodhte ndryshe sot”, vijon më tej, Nishani qëndrimin e tij.

Po ashtu thotë se nëse emërimet në strukturat e hetimit të krimit rekomandoheshin nga kapot e bandave s’kishte si ndodhte ndryshe sot dhe se nëse politikanët qeverisës i paguanin për të mbledhur vota me çdo çmim, s’kishte si ndodhte ndryshe sot.

Nëse pushteti u falte pasuritë publike në këmbim të miqësisë së tyre për të trembur shqiptarët, s’kishte si ndodhte ndryshe sot, deklaron Nishani, duke shtuar se ata tani nuk mund të pranojnë që të bezdisen as edhe një grimë “As për show madje”.

Ai shprehet se krimi tani ka nisur të ndëshkojë shtetin dhe se ky realitet është gati gati fatalitet.

Sipas ish-kreut të shtetit, ai mund të kthehet përfundimisht në fatalitet nëse nuk arrestohen dhe tregohen publikisht agresorët ndaj policisë në Elbasan dhe se nëse nuk bllokohen dhe futen në proces konfiskimi bizneset e anëtarëve të këtyre grupeve.

“Mbledhja për disa ditë në oborret e komisariateve të disa makinave është asgjë. Goditja u duhet dhënë atje ku ata pastrojnë paranë e pisët. Atje ku i shumëfishojnë paratë e krimit. Ato dihen, janë publike, të pa kontrolluara. Nëse kjo nuk bëhet ata pasi do ta ndëshkojnë mirë e mirë shtetin do ta blejnë të gjithin atë”, thotë në mbyllje të qëndrimit të tij Bujar Nishani. /a.y/noa.al

Pas Elbasanit, policia aksion masiv në qytetin e Vlorës

Një i arrestuar dhe 29 të shoqëruar në Elbasan. Çako: Aksioni masiv, do shtrihet në çdo qytet