Transmetuar më 21-09-2017, 20:44

Sa e madhe duhet të jetë sakrifica e një fëmije për të shkuar në shkollë në vitin 2017, kur teknologjia ka arritur majat duke ja bërë njeriut jetën sa më komode?

Pakkush mbase e beson që ka fëmijë të cilët duhet vërtet të sakrifikojnë e madje edhe rrezikojnë për të marrë dije, një e drejtë njerëzore të cilën e kanë të garantuar në mënyrë universale.

I tillë është Eleksandër Shaphasa, një 9-vjeçar nga fshati Grecë në Pezë i cili vjen si personazhi i javës në rubrikën “Njerëz” në Tirana Today.

Edhe pse jeton vetëm 25 km larg metropolit shqiptar, Eleksandër bën çdo ditë mbi 3 orë rrugë për të shkuar në shkollë dhe për tu kthyer në shtëpi.

Ai mëson në shkollën fillore që ndodhet në një tjetër fshat, në Pajanë, ndaj duhet të përshkojë çdo ditë rreth 2 km rrugë në këmbë.

Pjesa më e madhe e rrugës është një shpat mali, ku mund të ngjitesh vetëm në këmbë dhe vogëlushi duhet të ecë i vetëm në këmbë.

Vështirësia më e madhe është kur nisin shirat dhe rruga bëhet edhe më e rrezikshme.

Vetë Eleksandër thotë se është mësuar tashmë me vështirësitë por kjo nuk e bën aspak të sigurt rrugëtimin e tij të përditshëm drejt shkollës.

Prindërit e tij, janë që të dy të papunë dhe sigurojnë të ardhurat nga blegtoria.

Ata thonë se çdo sakrificë e bëjnë për shkollimin e dy djemve të tyre, por hapja e një rruge është jashtë çdo mundësie.