Transmetuar më 21-09-2017, 20:03

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike që ka nisur sot rreth orër 18:00 e po vijon ende me dyer të mbyllura në selinë blu, është shoqëruar me një incident të pakëndshëm këtë të enjte.

Jemin Gjana në debat e sipër, është çuar të godasë Valbona Mezinin, teksa diskutohej për analizën e zgjedhjeve, ku Lulzim Basha u rikonfirmua kryetari i partisë.

Burimet brenda PD thanë për “Panorama” se acarimi nisi fill pasi Sekretarja për organizatat partnere në PD ka akuzuar Jemin Gjanën për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në parti.

Ky i fundit ka tentuar ta godasë Valbona Mezinin, por është penguar nga deputetët e tjerë që ishin pranë.

Mezini njihet si kritike e Bashës dhe është pjesë e firmëtarëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij si kryetar i PD.

Ndërsa Gjana ka mbajtur një pozicionim krahë Bashës dhe ishte kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD.