Transmetuar më 21-09-2017, 14:06

Karim Benzema do të jetë pjesë e Real Madridit të paktën deri në vitin 2021.

Ndërsa mediat angleze këmbëngulnin për një transferim të mundshëm të sulmuesit francez tek Arsenali, nga Spanja, më konkretisht nga vete klubi spanjoll, vjen konfirmimi zyrtar i arritjes së marrëveshjes mes palëve për zgjatjen e bashkëpunimit edhe për dy vite të tjera.

Ditën e sotme 29-vjeçari do të dalë në një konferencë për shtyp, e organizuar posaçërisht për rinovimin e kontratës me Los Blancos, me aktualen që përfundon në verë të 2019-ës.

Benzema, i cili është pjesë e Realit të Madridit që nga viti 2009, pritet të përfitojë rritje të ndjeshme të pagës, teksa aktualisht merr 7.5 milionë euro në sezon.

Sa i përket klauzolës së largimit, ajo do të mbetet e pandryshuar, pra 1 miliardë euro. Gjithashtu do t’i jepet mundësia që të mbyllë karrierën me gjigantët spanjollë.