Transmetuar më 21-09-2017, 14:05

Kryetari i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i bën thirrje Kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga taksa e shëndetit.

Vasili bën me dije se në programin e punimeve të Kuvendit është futur përsëri nga qeveria miratimi i koncesionit të pullës së barnave.

“Pulla aktualisht kushton vetëm 6 lekë të vjetra. Me koncesionin, që do të miratojë qeveria, pulla do të kushtojë nga dhjetëra deri mijëra herë më shtrenjtë. Thënë më thjeshtë: nga 6 lekë të vjetra mund të arrijë edhe deri në 31 mijë lekë të vjetra, pra rritje rreth 5 mijë herë. Kjo, pasi pulla e barnave tash e tutje do kushtojë sa 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë. Grabitje kjo që nuk është parë gjëkund”, shkruan Vasili në Facebook.

Ai shton se kjo është taksa direkte më abuzive mbi shëndetin, që do paguajnë qytetarët.

Vasili thotë se, “shëndetësi falas nuk pati jo e jo, por për më zi akoma, po shtojnë dhe taksa të rënda si kjo e pullës, që i bën shqiptarët të paguajnë akoma më shumë për barnat”.

Vasili akuzon Kryeministrin se nga ligji i dekoratave edhe tërhiqet, por kur vjen puna te ligjet, që sipas tij, u hanë lekët dhe i varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë të tjerët me koncesione, ai nuk tërhiqet kurrë.

“Tërhiqu Kryeministër, kurseja vetes të paktën këtë gjynah, që lidhet me shëndetin”, shprehet Vasili. /a.y/noa.al