Transmetuar më 21-09-2017, 12:57

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj priti sot në takim ambasadoren e Holandës në Shqipëri Dewi van de Weerd.

Xhafaj e njohu ambasadoren me prioritetet e Ministrisë së Brendshme në këtë mandat qeverisës. Mes tyre, nënvizoi procesin e Vetting-ut në polici, luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe parandalimin e azilkërkimit.

Ministri e njohu diplomaten me një sërë masash në forcimin e regjimit kufitar. “Një tjetër masë, shtoi ministri, do të jetë forcimi i kapaciteteve njerëzore dhe niveli profesional në Pikat kufitare”.

Ambasadorja vlerësoi punën e kryer si dhe marrëdhëniet shumë të mira mes policive në të dy vendet. Gjithashtu ajo u shpreh e gatshme për të mbështetur prioritetet e reja të Ministrisë së Brendshme, përmes asistencës teknike dhe logjistike.

Ambasadorja shprehu besimin për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në të ardhmen.

Ajo pohoi se ka vërejtur masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit për frenimin e fenomenit të azilkërkimit.

Bashkëbiseduesit ranë dakord për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, përmes intensifikimit të shkëmbimit të informacionit.           

Ambasadorja u shpreh e bindur se Vetting-u në Policinë e Shtetit do të rrisë besimin e qytetarëve. /a.y/noa.al