Transmetuar më 21-09-2017, 12:28

E dini pse Neymar la Barcelonën në merkaton e verës? Jérémy Mathieu, ish-lojtar i katalanasve, e ka një ide. Francezi mendon se sulmuesi iu bashkua PSG-së, sepse në “Camp Nou” ndihej se ishte gjithnjë në hijen e yllit Lionel Messi.

Mathieu, i cili u largua një muaj para Neymar-it, është i bindur se ëndrra për të fituar “Topin e Artë” e ka shtyrë brazilianin të provojë një aventurë të re në Paris, aty ku duhet t’i bëjë të gjitha gjërat vetë.

“Për asnjë çast, njerëzit nuk e prisnin që ai do të largohej nga Barça. Por ky është futbolli, thjesht kështu… Është vendimi i tij”, shprehet mbrojtësi në “EFE”, raporton telesport.

“Mendoj se Neymar e la Barçën, sepse atje ishte pas Leos. Ai dëshiron të fitojë ‘Topin e Artë’ dhe tani për tani ndihet i lumtur në Paris, sepse po shënon gola”, shton Mathieu.

Gushtin e kaluar, 25-vjeçari kaloi te PSG-ja për 222 milionë euro. Natyrisht, shifër rekord, por vështirë se do ta mbajë gjatë fronin e më të kushtueshmit, sepse futbolli, ashtu si bota, nuk kuptohet më. /b.l/noa.al/