Transmetuar më 20-09-2017, 12:45

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vaslili deklaron se Partia Socialiste nga pikëpamja juridike nuk mund të tërheqë ligjin për mbetjet dhe se referendumi është zgjidhja e vetme.

Në një dalje për mediat ditën e sotme nga selia e LSI, ai tha se kryetari i grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla, e ka thënë publikisht që e tërheq projektligjin.

“Nuk kemi të bëjmë me projektligj për mbetjet, por kemi të bëjmë me ligj. Kuvendi i Shqipërisë për këtë çështje është shprehur me votë. Që nga ky moment po themi pronësia politike e propozuesve qofshin deputetë apo qeveri, ka rënë. Ky ligj tashmë është pjesë e atyre ligjeve që Kuvendi miraton”, u shpreh Vasili.

Ai tha se ka vetëm një moment procedurial që Presidenti ka kthyer ligjin dhe i ka dhënë një mundësi të re mazhorancës të reflektojë.

Sipas tij, detyra e mazhorancës fillon me shqyrtimin e dekretit të Presidentit dhe më tutje të ecë përpara.

“Nuk ka asnjë mundësi juridike që Partia Socialiste të tërheqë, nuk është projektligj, por është ligj. Këtu ka një rol të veçantë për të bërë rojtarin korrekt të rregullores, kryetari i Kuvendit”, tha ai.

Më tej shtoi se nëse kryeparlamentari Gramoz Ruçi, do të pranonte një dhunim të tillë skandaloz të rregullores ky do të ishte fundi i parlamentit.

Vasili tha se e vetmja zgjidhje mbetet që të flasë populli, duke kërkuar referendum popullor.

“Të kemi referendum popullor, se të këqijat e këtij ligji, sidomos në aspektin shëndetësor, janë të mëdha. Vullneti popullor është ai që duhet të zgjedhë pasi ka dëgjuar të gjitha argumentat”, deklaroi ndër të tjera.

Lidhur me votimin e ligjit, ai sqaroi se votimi nga ana e LSI ishte në kushtet e një besimi të plotë, por komisioni udhëhiqej nga Partia Socialiste, “Na siguruan se ky proces ishte shteruar. Ne garantuam bashkë me kryetarin e asaj kohe Ilir Meta që në kushte të tjera këtë nismë nuk do ta mbështesnim”. /a.y/noa.al