Transmetuar më 20-09-2017, 08:57

Kryedemokratin Lulzim Basha e presin edhe katër vite të tjera në opozitë, por humbja në zgjedhjet e 25 qershorit dhe pakënaqësitë brenda radhëve të demokratëve, duket se kanë sjellë reflektimin e tij.

Prej pak ditësh ai ka nisur një stil ndryshe të të bërit opozitë, duke ndjekur mënyrën popullore të paraardhësit të tij Sali Berisha, nëpërmjet postimeve të shqetësimeve të qytetarëve në Facebook.

Kështu ka bërë mëngjesin e sotëm, kur ka publikuar një shqetësim të banorëve të Dibrës.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, thotë se qeveria u hoqi të rinjve në Dibër mundësinë për edukim, dhe pasi i përzuri studentët, godinën e universitetit ia dha bashkisë “së fituar me paratë e kanabisit”.

Kreu i opozitës ashtu si Berisha, publikon mesazhin që një qytetar i ka dërguar atij, ku shkruan për shqetësimin që kanë dibranët.

Mesazhi i qytetarit

“Përshëndetje kryetar! Nga Peshkopia po ju paraqesim një shqetësim + që kanë dibranët sot:

Prej vitit 2013-‘14 pasi këto rilindasit famozë mbyllën universitetin, filialin e UAMD, në Peshkopi, godina e rikonstruktuar për bukuri nga qeveria jonë, (ish-gjimnazi që u bë Universitet) prej 4-vjetësh rri bosh, megjithëse në Peshkopi vazhdon mësimi në klasa me 40 nxënës dhe më e keqja në arsimin fillor, në Peshkopi vazhdon ende edhe sot mësimi me 2 turne (cikli i ulët). Por kjo s’është asgjë, tani duan që këtë godinë arsimore, më e rëndësishmja në Dibër dhe memoria e vetme historike e arsimit këtu, ta kthejnë në zyra për të kaluar aty Bashkinë Dibër, drejtuar teorikisht nga PS, por praktikisht nga injoranca, nga PDIU etj., kthyer në plaçkë tregu…etj., etj.

Bashkia jo vetëm që i ka ambientet e saj që ia kemi lënë model, por edhe mundësi këmbimi me godinën ku sot janë institucione koti si Qarku, Prefektura etj., ka.

Këtu po merr fund çdo gjë, këto qenkan të tmerrshëm, mbyllin shkollat për të bërë zyra për militantët, pasi nga që kanë shtuar numrin e personelit në administratë disa fish sa nuk i nxënë (nuk i marrin zyrat) dhe tani të gjithë këto injorantë që rrinë në zyra kot, tani duan zyra +, dhe i duan aty në qendër të qytetit, duke kthyer godinën e universitetit në zyra të bashkisë!!!? Sapo kanë filluar procedurat e transferimit, lirimit ambienteve…etj. Të fala nga Peshkopia”. /a.y/noa.al