Transmetuar më 19-09-2017, 11:11

Shkolla “Ardian Klosi”, që mban emrin e publicistit dhe përkthyesit të njohur, u përurua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se, duhet të jemi patjetër fitimtarë në betejën e qytetit për më shumë dije.

“Nuk kemi ndërtuar vetëm shkollën, përballë saj është një hapësirë tjetër fantastike, një qendër komunitare, çerdhe, kopësht; kemi krijuar një oaz në një nga lagjet që më përpara ka qenë e lënë pas dore. Nuk është vetëm ky oaz, por janë edhe 18 rrugë të reja që kanë rehabilituar një pjesë të madhe të lagjes. Për herë të parë kemi të njëjtën cilësi në zonën që me konotacion negativ më përpara quhej si Bregu i Lumit, sot Bregu i Lumit është një nga lagjet më moderne të Tiranës. Pra, po punojmë me të njëjtin standard, siç punohet në sheshin “Skënderbej”, ashtu edhe në zonën e Bregut të Lumit, në Njësinë 4 edhe në këtë kompleks fantastik arsimor dhe sportiv”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që të bashkëpunojnë në realizimin e projekteve dhe të investimeve të Bashkisë së Tiranës, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë jetën e vetë komunitetit në këtë zonë, por njëkohësisht do të rrisë dhe vlerën e pronës.

Ai bëri me dije se krahas përmirësimit të infrastrukturës, në shkollën “Ardian Klosi” do të japin mësim mësuesit më të mirë të përzgjedhur nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Kryebashkiaku ftoi prindërit që të regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë shkollë të re, e cila do të zgjidhë edhe problemin e mësimit me dy turne në shkollat e tjera në këtë zonë.

Në shkollën e re, nxënësit do të kenë mundësi që përveç lëndës së anglishtes, të studiojnë edhe gjermanisht, e cila është një nga më të kërkuarat aktualisht në tregun e punës. “Më vjen mirë që në kujtim të Ardianit, jo vetëm si intelektual, por si një gjermanisht folës, jam i lumtur që u prezantuam me mësuesin e gjermanishtes dhe kemi futur gjermanishten përveç anglishtes si një gjuhë të dytë. Për të gjithë ata që do të kenë fatin, shansin, mundësinë të studiojnë të studiojnë në këtë shkollë, do të jenë njohës shumë të mirë të gjermanishtes”, u shpreh Veliaj.

Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe figurën e publicistit dhe të albanologut Ardian Klosi, duke vlerësuar kontributin e tij për shoqërinë shqiptare.

“Ardian Klosi është arsyeja pse jemi mbledhur këtu sot dhe i kemi kushtuar këtë shkollë personalitetit dhe kontributit të tij. Një nga intervistat e fundit të Ardianit, ai tha: Atdheu është lagjja ku jetojmë, rrugica ku jemi rritur, shtëpia ku kemi kaluar fëmijërinë, komshiu që kemi përballë; qyteti është atdheu. Ky është përkufizimi më i bukur i ekzaktësisht se çfarë është atdheu”, nënvizoi Veliaj.

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se shkolla “Ardian Klosi” është me standardet më të mira europiane dhe me mësuesit më të mirë. Ajo shtoi se është detyra e stafit pedagogjik dhe vetë nxënësve që të justifikojnë këtë investim, si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie.

Kjo shkollë hapi dyert për herë të parë për nxënësit e saj javën e kaluar, ndërkohë që ajo u ndërtua edhe falë mbështetjes nga Komisioni Evropian. Shkolla ka një kapacitet për 1000 nxënës dhe ofron mjedise të reja e kushte modern mësimdhënieje, si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme sociale dhe sportive.

Kryebashkiaku Veliaj, shoqërohej nga Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin, deputetja e PS, Blerina Gjylameti, si dhe nga familjarë të përkthyesit dhe publicistit Ardian Klosi. /a.y/noa.al