Transmetuar më 19-09-2017, 08:58

Kryetari i Partisë Dmokratike Lulzim Basha, reagon lidhur me bllokimin e një makine në qytetin e Elbasanit me vlerë 100 mijë euro, pasi goditi mjetin e policisë gjatë mbrëmjes së djeshme.

Në reagimin e tij mëngjesin e sotëm, Basha thotë se kur krimi i veshur me pushtet dhunon vetë policinë, vetingu duhet të nisë nga Kryeministri, ministri i Brendshëm e kryebashkiakët të bërë njësh me bandat,

“Kryetar mirëmbrema. Sot në Elbasan dhëndri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Çelën me makinë të blinduar kane goditur makinën e zv.drejtorit të policisë Elbasan. Kjo pasi një pikë kontrolli ka kontrolluar disa ushtarë të tyre”, shkruan Basha në Facebook, duke publikuar mesazhin e një qytetari.

Ky reagim vjen pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në lagjen "Dyli Haxhire” nga efektivat e policisë në automjetin me targa AA 040 OJ, mjet luksoz me një vlerë rreth 100 mijë euro, personit iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të dokumentacionit.

Në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një patrullë policie, një mjet tip “Audi” me shpejtësi goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA.

Më pas mjeti që goditi mjetin e policisë u fut në Tregun Ushqimor, ndërsa dyshohet se është i blinduar. Nga ana e policisë është bërë i mundur shoqërimi i disa personave që kanë qenë në ambientet e Tregut.​ Aktualisht policia po heton për zbardhjen e kësaj ngjarje. /a.y/noa.al