Transmetuar më 18-09-2017, 21:23

Anxhela është 18 vjeç, një maturante që i njeh mirë aftësitë e saj, me mesatare 9.95, ajo ka vendosur të sfidojë rrezikun dhe të djegë degët ku është shpallur fituese në raundin e parë, për të ndjekur rrugën e zemrës që e çon tek Financa.

“Fitova degë të ndryshme si: Drejtësi, Administrim Biznesi, Ekonomik dhe të tjera. Por preferenca ime është Financa. Kjo është arsyeja pse i dogja këto degë, që të vazhdoj në raundin e dytë për Financë. Financa ka vetëm 12 kuota të lira, prandaj unë kam zgjedhur edhe degët e tjera të Fakultetit të Ekonomisë dhe Informatikën", u shpreh Anxhela Cullhaj, kandidate për studente.

Por, jo të gjithë kanë guximin e Anxhelës, që mbështetet fort te rezultatet e saj. Zëvendësdekani i Fakultetit të Ekonomisë thotë se në këtë raund të dytë kandidatët duhet të mendohen mirë.

“Në këtë periudhë riaplikimi, ata mund të aplikojnë në 10 preferenca të tjera, të jenë të kujdesshëm për të parë vendet bosh. Sa i takon regjistrimit, ato do të jenë 48 orëshe, të bëjnë kujdes të regjistrohen kur u vjen radha", tha Alban Korbi, zëvendësdekan, Fakulteti i Ekonomisë.

Në dilemë ka edhe aplikantë të tjerë, megjithëse shifrat flasin për një numër të vogël kandidatësh të çregjistruar, transmeton TCH.

"Këta kandidatë që ishin regjistruar në degët ku ishin shpallur fitues në raundin e parë mund të riaplikojnë në raundin e dytë, madje ka nga ata që aplikojnë në degë të tjera po brenda Fakultetit të Ekonomisë. 15 të çregjistruar te Ekonomiku", tha Alban Korbi.

Regjistrimet për raundin e dytë në universitete do të zhvillohen në datat 1-14 tetor, ndërsa fituesit shpallen më 30 tetor.