Transmetuar më 17-09-2017, 13:32

Historia e anijes tregtare shqiptare, e ndaluar nga Marina ushtarake e Libisë me akuzën e transportit të paligjshëm të mallrave, po ndiqet hap pas hapi nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të vendit tonë.

Burime nga MEPJ thonë se, nga kontaktet e vazhdueshme me të, marinarët ndodhen në anije dhe nuk ka asnjë problem që i shqetëson ata. Ndërkohë, përfaqësues të Ministrisë janë në kontakt me Marinën e Libisë për të bërë të mundur kthimin e tyre në vendin tonë.

Anija “Envi 1” ishte nisur nga Porti i Zuaras mbrëmjen e së premtes, me destinacion final Maltën. Anija është në pronësi të një shqiptari dhe lundronte në det me flamur të Panamasë, ndërkohë që drejtohej nga kapiteni malazez, Marko Markoviç.

Në përbërje të ekuipazhit prej 8 anëtarësh ndodhen edhe 5 marinarët shqiptarë: Maliq Bushati, Avni Buzi, Artur Selimaj, Xhodet Celaj dhe Jurgen Balla.

Autoritetet ushtarake të Libisë e ndaluan atë në lundrim dhe e detyruan të ankorohet pranë një tjetër porti, atij të Zawyas.

Sipas njoftimeve të para, anija u ndalua pas dyshimeve për transport të paligjshëm të materialeve të ndërtimit, përfshirë dhe rërën. Anija “Envi 1” ishte nisur nga Porti i Durrësit më 5 shtator, bosh, me destinacion Zuaran e Libisë. /b.l/noa.al/