Transmetuar më 17-09-2017, 13:03

Në Kinë është duke u ndërtuar një kopje e Titanikut dhe puna për të risjellë anijen gjigante është në gjysmën e saj. Ndërtuesit thonë se po punojnë me orë të zgjatura për ta përfunduar projektin në fund të këtij viti.

Kopja e anijes luksoze të pasagjerëve, e cila u mbyt në vitin 1912 dhe i mori jetën të paktën 1.500 personave do të jetë pjesë e parkut madhështor në Sichuan, në jugperëndim të Kinës. Romandisea, kompania që po ndërton anijen thotë se ajo do të jetë një kopje e saktë e Titanikut, nga madhësia deri në dekorim dhe në menu.

Titaniku, anija më luksoze e asaj kohe, është bërë e pavdekshme jo vetëm në sajë të mbytjes tragjike, por dhe për faktin se historia e saj ka qenë në qendër të shumë dokumentarëve, serialeve televizive apo filmave hollivudianë. Anija e nisi udhëtimin e saj të parë në 10 prill të 1912 nga porti i Southamptonit në Angli dhe ishte drejtuar për në Nju Jork.

Në bordin e saj ndodheshin disa nga njerëzit më të pasur të asaj kohe si dhe shumë emigrantë britanikë që i drejtoheshin Amerikës për një jetë më të mirë. Anija që mbante në bordin e saj 2.224 njerëz ishte e pajisur me një palestër, pishinë, bibliotekë si dhe restorant klasi, me pak fjalë ishte një anije ëndrrash.

Ajo ishte ndërtuar në kantierin “Harland and Wolff”, në Belfast të Irlandës. Por udhëtimi i saj tragjik do të ndërpritej vetëm pak ditë pas nisjes, pikërisht në 14 prill, kur 375 milje larg brigjeve amerikane do të përplasej me një ajsberg. Përplasja fatale shkaktoi një të çarë të thellë në trupin e anijes, që nisi të mbushej me ujë e të fundosej. Ajo kishte në bordin e saj varka shpëtimi për vetëm 1.178 njerëz, shumë më pak nga numri i përgjithshëm i personave që ndodheshin në të.

Një pjesë e ekuipazhit të anijes dhe pasagjerëve (rreth 710 persona) mundën të shpëtonin falë këtyre barkave, por pjesa tjetër u mbyt së bashku me anijen gjigande. Në orën 02.20 të mëngjesit të datës 15 prill “Titaniku” u zhyt përgjithmonë në ujërat e oqeanit Atlantik. /b.l./noa.al/