Transmetuar më 17-09-2017, 09:38

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndien bebushi juaj në barkun tuaj? Patjetër që po! Shpesh pyetja e parë që bëjnë nënat e reja kur shkojnë te gjinekologu është: “Çfarë ndodh ekzaktësisht brenda në barkun tim?”. Në fakt ndodhin një sërë gjërash.

Para së gjithash, në javën e nëntë të shtatzënisë, fetusi fillon të ndiejë zemrën e nënës. Për të ajo është si një tambur që i jep ritëm çdo dite të tij. Është një tingull që e ndien fort, një tingull ritmik e për këtë është e rëndësishme që menjëherë pas lindjes fëmija duhet të vendoset në gjoksin e nënës, qoftë edhe për pak minuta.

Duhet të dëgjojë akoma atë tingull familjar për të kuptuar që edhe jashtë gjithçka është e qetë. Në javën e 12, apo në muajin e tretë, fetusi është në gjendje të dëgjojë zhurmat dhe tingujt e jashtëm, edhe pse i percepton në mënyrë të mbytur, sepse është i zhytur në placentë, por gjithsesi është gjithmonë mirë ta “ruani” barkun tuaj nga ndonjë zhurmë e madhe.

Për shembull nga ndonjë koncert i drejtpërdrejtë apo nga ndonjë film aksion me kolonë zanore shumë të lartë. Sigurisht fetusi i percepton gjërat me qartësi, dhe gëzon shumë praninë e nënës. Kështu, një përkëdhelje e zgjatur në bark, një masazh me vajra të posaçëm për shtatzëninë, si ai me bajame, gjenerojnë një mirëqenie të madhe për fëmijën, që percepton qetësinë e nënës së tij në sajë të ledhatimeve që ajo i bën barkut të saj.

Më pas është drita: studime të veçanta janë ende në zhvillim e sipër, por duket se po vërtetohet se fetusi mund të perceptojë burimet e dritës, edhe pse në një masë të vogël, sepse muret e mitrës e mbrojnë dhe e filtrojnë shumë dritën e jashtme.

Po dhimbja? Edhe kjo është një temë tërheqëse! Duket se fetusi nuk e ndien vërtet dhimbjen. Gjatë ekove apo kontrolleve të ndryshme që kryen nëna gjatë shtatzënisë, ai ndien vetëm bezdisje, apo shqetësime tepër të vogla.

Por gjithsesi duhet të tregohet mjaft kujdes ndaj goditjeve mbi bark. Abdominalet (muskujt e barkut) e nënave janë transformuar për të shërbyer si një barrierë mbrojtëse efektive, por gjithsesi nuk u rezistojnë goditjeve të forta. Prandaj ndonjëherë reagojmë në mënyrë instiktive kur nuk ndihemi të sigurta për atë se çfarë po ndodh përreth barkut tonë.

Çfarë duhet të dini për foshnjat

Jo shumë kohë më parë, kishte njerëz që besonin se foshnjat kishin nevojë vetëm të ushqeheshin, të mos kishin ftohtë dhe të mos ishin të lagur. Disa njerëz mendonin se bebet nuk ishin në gjendje të mësonin para se të mbushnin pesë ose gjashtë muaj. Por doktorët në Shtetet e Bashkuara thonë se foshnjat fillojnë të mësojnë që ditën e tyre të parë.

Instituti Kombëtar i Shëndetit dhe Zhvillimit të Fëmijës në Shtetet e Bashkuara ka si qëllim të zbulojë se cilat përvoja mund të ndihmojnë zhvillimin e shëndetshëm te njerëzit. Shkencëtarët e institutit vënë re se mjedisi ndikon shumë te bebet. Ata thonë se foshnja buzëqesh nëse e ëma bën diçka që i pëlqen atij.

Bebja mëson që të marrë përkujdesjet maksimale duke buzëqeshur për të kënaqur mamanë e vet, ose persona të tjerë që kujdesen për të. Kështu bebet mësojnë të komunikojnë me qenie të tjera njerëzore. Studiuesit amerikanë thonë se kjo aftësi ekziston te bebet që para se të lindin dhe se të sapolindurit mund të dallojnë tingujt që kanë dëgjuar që kur ishin në barkun e nënës. /b.l/noa.al/