Transmetuar më 16-09-2017, 14:25

Kryeministri Edi Rama reagon për të parën herë lidhur me prishjen e ndërtimeve në Shkozë, në periferi të Tiranës.

Në replika me qytetarët pas postimit të një reagimi lidhur me prishjen e kullës së Prek Calit, Rama nuk ka kursyer përgjigjet.

“Sa shpejtë i kthen përgjigjet për të tilla situata, ndërkohë për Shkozën as e more mundimin të paktën të qetësoje familjarët”, i shkruan një qytetar.

Kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje, duke thënë se janë ndërtime pa leje në mes të një rruge kryesore të Tiranës.

“Për Shkozën është shumë e qartë, s’ka asgjë për të kthyer përgjigje: Janë ndërtime pa leje në mes të një rruge kryesore të Tiranës dhe duhet të prishen, ndërkohë që banorëve Bashkia e Tiranës duhet t’u ofrojë bonus qeraje si të pastrehë!”, shkruan Rama.

Ai shton se familjet këtë e dinë prej kohësh dhe s’ka asnjë shans as për ta dhe as për askënd tjetër që të legalizohen në mes të rrugëve e pastaj të shpronësohen me paratë e kopshteve, çerdheve e spitaleve, për të hapur rrugën që është e të gjithëve.

Kujtojmë se janë rreth 150 familje që preken nga prishja e ndërtimeve në zonën e Shkozës. /a.y/noa.al