Vogëlushja 2 vjeçare Altea Jubi nga qyteti i Peqinit e cila u dogj disa muaj më parë në pjesën me të madhe të trupit pasi ra në një tenxhere me qumësht të valuar duket se nuk ka më rrezik për jetën.
Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryeministri i vendit Edi Rama i cili pak kohë më parë mori përsipër kurimin e saj në Turqi.
Ndërsa sot me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Rama thotë se vajza ndodhet jashtë çdo rreziku.
“A ju kujtohet Altea, bebja që u dogj dhe kishte vetëm një fije shprese për jetën? Sot ajo është jo vetëm përfundimisht jashtë çdo rreziku, po gati për t’u kthyer në shtëpi me prindërit e saj”, shkruan Rama.
Altea pësoi djegie në atë kohë në 70% të trupit, dhe u dërgua për trajtim të specializuar në Turqi.
Kryeministri Edi Rama, pasi u njoh me rastin e vogëlushes që preku opinionin publik, kërkoi informacion të plotë për gjendjen shëndetësore të saj, pas të cilit u kujdes duke i siguruar kurimin e specializuar në Turqi. /b.l/noa.al/