Transmetuar më 15-09-2017, 17:38

Situata nuk është aspak e mirë te skuadra e Partizanit në këtë fillim sezoni. Në klub ka një çështje që quhet “Alban Hoxha”. 

Pas polemikave të shumta me klubin, që shkuan deri në përjashtimin e tij nga ekipi dhe një gjobë prej 2000 eurosh, portieri Alban Hoxha ka reaguar për herë të parë duke zbatuar urdhrin e drejtuesit Luçiano Moxhi.

Ai i ka kërkuar falje të gjithë skuadrës dhe ka dorëzuar shiritin e kapitenit për të dhënë një shembull për gjithë të tjerët.

Fjalët e Hoxhës, të postuara nga faqja zyrtare e Partizanit: “Klubi ka vendosur një rregullore të brendshme, të cilën unë dhe shokët e mi duhet ta respektojmë. Kur kjo rregullore nuk respektohet unë marr përsipër përgjegjësitë. I kërkoj falje klubit, stafit teknik dhe shokëve të skuadrës.

Për këtë arsye dorëzoj edhe shiritin e kapitenit për të dhënë shembull për të gjithë. Jam gati të rikthehem në vendin tim, pranë skuadrës dhe të jem në dispozicion të klubit, trajnerit dhe ekipit për të mirën e Partizanit”. /b.l/noa.al/