Transmetuar më 15-09-2017, 14:09

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me një ceremoni solemne basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu duke i akorduar Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Kjo dekoratë iu dha me motivacionin, “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Meta tha se “Ka dekorata që nderojnë njerëzit, por ka dhe njerëz që nderojnë dekoratën. dhe Agim Fagu është pikërisht një i tillë. Jam i bindur se Dekorata e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ ashtu edhe personaliteti i Agim Fagut nderojnë më së miri njëra-tjetrën”.

Sipas tij, kjo figurë e jashtëzakonshme dhe komplekse ndërthur si rrallë dhe në mënyrën më të shkëlqyer figurën e sportistit të niveleve më të larta evropiane dhe botërore me atë të qytetarit, intelektualit dhe të diplomatit të shkëlqyer.

“Personaliteti i tij ka shkëlqyer në mënyrë të veçantë gjatë detyrës si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, ku angazhimi dhe bashkëpunimi i tij me qeverinë britanike, e cila kishte një rol udhëheqës për zgjidhjen e krizës së Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm, ashtu sikurse e jashtëzakonshme ka qenë dhe paraqitja e tij në mediat më të njohura britanike dhe botërore në mbrojtje të kauzës së Kosovës”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Nga ana e tij Agim Fagu falënderoi Presidentin Meta “për fjalët, të cilat ndoshta disa herë i kalonin kufijtë e së vërtetës, por le ta gjykojnë të tjerët dhe ju falënderoj dhe për atë që të gjithë këtë respekt dhe dashuri të shqiptarëve që ju i ligjëruat në një dekret duke më vlerësuar mua me dekoratën më të lartë të vendit.” /a.y/noa.al