Transmetuar më 14-09-2017, 22:40

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma vizitoi banorët në zonën e lumit të Shkozës, ku u njoh nga afër me problemet që ata po përballen.

Znj. Duma ofroi mbështetje për familjet që preken nga projekti i zgjerimit të lumit të Lanës, por për shkak se nuk kanë lejen e legalizimit, IKMT ka paralajmëruar shembjen e shtëpive.

Deputetja e djathtë kërkoi nga banorët që ata të vërtetojnë se janë pronarë të shtëpive.

“Unë dhe PD, pa asnjë diskutim, përveç se do të shkojmë tek ministri i Transportit, përveç Avokatit të Popullit, përveçse e kemi ndjekur ligjërisht çështjen faktikisht, por duhet të ishit bërë bashkë edhe ju që të gjithë. Po dolët pa letra, pa asnjë letër, atëherë rrezikoni gjithë investimin, as kompensim, as asgjë”, tha Duma.

Nga projekti i Autoritetit Rrugor Shqiptar për zgjerimin e rrugës së Shkozës preken rreth 150 familje.

Banorët e kësaj zone prej paradites së të enjtes protestuan duke bllokuar rrugën e duke krijuar trafik, ndërsa pati edhe konfrontime me punonjësit e policisë. /k.k/noa.al/