Transmetuar më 14-09-2017, 12:14

Një gjyqtare dha urdhër të mërkurën për burgimin e Martin Shkrelit, ish drejtor ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, pasi arriti në përfundimin se ai kishte shkelur marrëveshjen e lirimit me kusht, duke shkruar një mesazh në Facebook që ajo tha se përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton.

Muajin e kaluar, Shkreli u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare që ai administronte, por ishte lejuar të qëndronte i lirë me kusht, deri në shpalljen e dënimit, që është caktuar për në mes të janarit.

Urdhri i djeshëm i gjyqtares në gjykatën federale të Bruklinit erdhi pas një postimi të Shkrelit, ku ai ofronte një dhuratë prej 5 mijë dollarësh për cilindo që do t’i shkulte zonjës Clinton një fije floku gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri.

Avokatët e Shkrelit thanë se postimi ishte një satirë politike. Por gjyqtarja Kiyo Matsumoto tha se nuk e shihte këtë si humor dhe se oferta e Shkrelit mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates Clinton.

Oferta mund të shihet si “një thirrje për të sulmuar”, tha gjyqtarja, duke i hequr Shkrelit lirinë me kusht të arritur kundrejt një pagese prej 5 milion dollarësh.

Të mërkurën paradite, Shkreli i shkroi gjykatës duke kërkuar falje për sjelljen e tij, me fjalët: “Unë nuk jam një person i dhunshëm”. Por për gjyqtaren Yamamoto kërkesa ishte e vonuar. “Ai nuk duhet të më kërkojë falje mua,” – tha ajo. “Ai duhet t’i kërkojë falje qeverisë, Shërbimit Sekret dhe Hillary Clintonit”. /b.l/noa.al/