Transmetuar më 13-09-2017, 17:05

Pas tingujve të himnit kombëtar Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri, u betuan para Presidentit Ilir Meta duke nisur zyrtarisht detyrën si qeveritarë.

I pari që u betua ishte kreu i qeverisë Edi Rama rreth orës 17.10, i cili shtrëngoi dorën me kreun e shtetit, dikur aleati i tij qeverisës.

Pas leximit të formulës “Betohem në nderin tim se do zbatoj në përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet”, Rama dhe ministrat u betuan njeri pas tjetrit.

Në fjalën e rastit Presidenti Meta tha se, “I nderuar kryetar i Kuvendit, i nderuar Kryeministër, të nderuar anëtarë të qeverisë. Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të betimit të qeverisë së re të ndaj me të gjithë ju urimin tim të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Shqipëria dhe shqiptarët presin nga Qeveria e re, nga Parlamenti i ri, nga maxhoranca por edhe nga opozita përgjegjësi më të mëdha për të përballuar me sukses sfidat që kemi përpara”.

Si President i Republikës, ai u ndal rëndësinë madhore për përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, në mënyrë që të krijohen sa më shpejt institucionet e reja të drejtësisë, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe të përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Në vijim, tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një aspiratë kombëtare ndaj shprehu besimin, se qeveria dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe përmbushjen e gjithë reformave kyçe me qëllim çeljen e negociatave për antarësimin sa më shpejt të jetë e mundur.

“Dua t’ju uroj suksese në veçanti në përmbushjen e të gjitha përgjegjësive që ka qeveria për përballimin e sfidave që lidhen me forcimin e sigurisë kombëtare, me luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar e çdo kërcënimi të jashtëm”, deklaroi Meta.

Kreu i shtetit shtoi se, modernizimi i Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera të sigurisë janë domosdoshmëri që do të rritein standardet e sigurisë kombëtare e publike por edhe rolin si vend anëtar i NATO-s.

Në këtë drejtim tha se roli i Shqipërisë është kyç për stabilitetin dhe progresin e gjithë rajonit ndaj shprehu bindjen, se Qeveria do të punojë me përkushtim për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe të gjitha vendet e rajonit tonë pasi vetëm përmes bashkëpunimit do garantohet një e ardhme europiane për të gjithë shqiptarët në rajon dhe popujt e tjerë me të cilët nuk na lidh vetëm gjeografia.

Presidenti u shpreh se ndihet i gëzuar, që qeveria e re e ka pagëzuar vitin 2018 si vitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

“Dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e këtij Institucioni në nismën tuaj. Heroi ynë kombëtar Skënderbeu është simboli i unitetit dhe fuqisë së kombit që në të gjitha kohërat i ka bashkuar shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Dhe sot ajo që na duhet më shumë ne shqiptarëve këtu e kudo, është bashkimi dhe bashkëpunimi në interesin më të mirë të qytetarëve tanë dhe të kombit tonë”, tha ndër të tjera Kreu i Shtetit.

Presidenti e mbylli djalin e tij duke thënë, “Edhe një herë suksese në detyrën e rëndësishme për të cilën u betuat sot!”

Pas betimit dhe fotografisë zyrtare Kryeministri dhe ministrat e rinj, u nisën në këmbë drejt Kryeministrisë ku do të mbahet dhe mbledhja e parë e qeverisë.

Kabineti i plotë qeveritar

1. Edi Rama, Kryeministër

2. Senida Mesi, Zëvendëskryeministre

3. Ditmir Bushati, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

4. Olta Xhaçka, Ministre e Mbrojtjes

5. Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm

6. Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe Ekonomisë

7. Damian Gjiknuri, Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

8. Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

9. Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë

10. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Kulturës

11. Niko Peleshi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

12. Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

13. Blendi Klosi, Ministër i Turizmit dhe Mjedisit

14. Pandeli Majko, Ministër Shteti për Diasporën

15. Sonila Qato, Ministre Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. /a.y/noa.al