Transmetuar më 13-09-2017, 16:30

Në Shqipëri është rritur numri i përdoruesve të drogës, ndërsa nga viti në vit po ulet mosha e tyre. Rast shokues është ai i një 11-vjeçari që ka konsumuar heroinë. Si për ironi, një nga bazat e përdoruesve të drogës në Tiranë është një shtëpi e braktisur përballë Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”.

Ky mjedis mund të ngjasojë me një vend ku hidhen mbeturina spitalore. Kudo shkel mbi shiringa të vjetra e të reja, të sapopërdorura. Është një nga bazat e përdoruesve intravenoze të drogës. Sipas shoqatës “Stop Aids” është rritur numri i përdoruesve dhe është ulur ndjeshëm edhe mosha.

“Në Shqipëri kemi 60 mijë përdorues problematikë të drogërave ku 8 mijë prej tyre që janë përdorues të drogërave të forta si heroina”, shprehet drejtuesi i shoqatës “Stop Aids”, Arian Boçi.

Një tjetër përfaqësues i kësaj shoqate, koordinatori Dritan Kamani tregon për rastin e një përdoruesi heroine vetëm 11 vjeç.

“Kemi patur raste edhe në kufijtë e të pabesueshmes, përdorues që kanë injektuar që në moshën 11- vjeçare. Ky përdorim herët në moshë i heroinës kishte shkaktuar çrregullime hormonale te ky person, të cilat kryesisht bazoheshin në një frenim të rritjes”, tha Kamani.

Një tjetër kambanë alarmi, që ata ngrenë, është edhe përhapja e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe kryesisht Hepatiti C, që e mbartin rreth 40 % e përdoruesve të drogës intarvenozë, transmeton ‘Klan plus’.

“Përdoruesit e drogërave me injektim mblidhen më shumë aty ku janë edhe pikat e shitjes. Ne kemi patur një hartë, në të cilën mund të ketë patur rreth 36 pika që lokalizoheshin kryesisht në godina të braktisura dhe të vjetra që ishin jashtë vëmendjes së komunitetit. Sot ne kemi pika në natyrë si Liqeni i Tiranës dhe zona të gjelbëruara në periferi siç është zona e Kombinatit.”