Transmetuar më 13-09-2017, 15:43

Një operacion policor i koduar “Explosion” (Shpërthimi), ka zbuluar tre mina me telekomandë duke vënë në pranga dy persona në kryeqytet.

Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, nga ana e policisë së Tiranës u vu në pranga Jurgen Muho, 24 vjeç, banues në Qesarakë të Tiranës dhe Eraldo Kataroshi, 19 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale të “Vjedhjes”, “Moskallzimit të krimit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Arrestimi i tyre u bë gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës, në rrugën “Teodor Keko”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen Polo”, i cili drejtohej nga Muho, shërbimet e policisë kanë konstatuar një çantë brenda të cilës ndodheshin tre mina të pajisura me telekomandë.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Jurgen Muho, bashkëpunonte me Eraldo Kataroshi në lidhje me veprimet që kryente, ndërsa dyshohet se minat i kishin bërë gati për t’i vendosur në një ambient për shpërthim.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tre mina të pajisura me aparat të markës celular “Nokia”, me qëllim shpërthimin e tyre në distancë dhe të pajisura me magnet dhe makina me të cilën lëviznin.

Ndaj dy të rinjve hetimet janë në vijim për zbulimin e aktiviteteve kriminale ku mund të jenë përfshirë.

Për ndjekje të mëtejshme materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, i bombave apo minave ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e kryer në bashkëpunim”. /a.y/noa.al