Transmetuar më 13-09-2017, 14:53

Desha të dëgjoja diçka më shumë, makar një fjali përtej parashtrimit të kryeministrit; jo vetëm lëvdata. Desha të dëgjoj alternativë demokratike, apo social-integruse; jo vetëm akuza, madje akuza qesharake, sepse s’ka kaluar as tre muaj nga qershori.

Nga Edmond Arizaj

Nuk e di pse vendosa ta ndjek seancën parlamentare deri në fund, deri në orët kur nisi të zbardhë dhe u konstituua qeveria. Ndoshta nga gjithë të shkruajturat e të thënat për deputetët e rinj, që pas listave dhe përfundimit të zgjedhjeve. Desha t’i njihja. Dhe pak a shumë ia arrita. Asgjë nga ato që ishin shkruar dhe thënë nuk ishte e vërtetë…ishte shumë herë më keq. Ishte e tmerrshme. Jo pak herë më erdhi rëndë teksa i dëgjoja disa. Nuk më vinte për të qeshur.

Ata do votojnë katër vjet për jetën time, për lehtësitë e mia, për çfarë do paguaj e çfarë do fitoj. Më çuditi guximi. Të flasësh në atë foltore, është bërë kaq e rëndomtë. Të nxjerrësh broçkulla. Të bëhesh qesharak. Ta dish se po qeshin me ty. Dikur burrat mbylleshin brenda kur i tallnin, nga turpi. Shikoni regjistrimet. Mos u besoni çka u thonë të tjerët. Jeni për turp. Mund të jeni të aftë në profesionet tuaja, por nuk jeni politikanë. Jeni numra. Nuk është tërësisht faji juaj. Por shumica është faji juaj.

Në mungesë edhe të disa figurave që bënin politikë mandatin e kaluar, kontrasti ishte verbues. A e dini pse keni ardhur në atë sallë? Ka aty që bëjnë politikë. Ka që marrin rrogën. Ka që zgjidhin “ndonjë hall”. Ju ku doni të futeni? Nuk është trimëri të dalësh para deputetëve e shqiptarëve dhe të bëhesh lolo. Pashë shumë të tillë. Nuk dinin të lexonin.

Dolën në mes të Kuvendit me hartimin e provimeve të lirimit klasa IX, bënin mizaskena, bënin aktorin, impostonin zërin, nxitonin të mbaronin letrat që kishin para. Parlamenti nuk është fillore, as maturë. Parlamenti është salla ku përplasen idetë politike, alternativat përveç atyre të kryetarit që ju ka zgjedhur, edhe ndonjë ide e juaja. Desha të dëgjoja diçka më shumë, makar një fjali përtej parashtrimit të kryeministrit; jo vetëm lëvdata.

Desha të dëgjoj alternativë demokratike, apo social-integruse; jo vetëm akuza, madje akuza qesharake, sepse s’ka kaluar as tre muaj nga qershori. E di. Më duket se ju, një pjesë të mirë tuajën, ju zgjodhën vetëm e vetëm që qesharakët e mandatit të kaluar të duken seriozë dhe të pjekur në këtë mandat. Ky është lëngimi më i madh që kam hasur në Parlamentin shqiptar prej të paktën 1995 që kam nisur ta ndjek. Mund të mos i rendisnin fjalët mirë dikur, por gishin guxim, kishin ide, jepnin alternativë, denonconin, bënin politikë. Ju nuk u afroheni askund. Duhet shumë të dilni nga anonimati dhe nuk bëhet me kllounata. Mësoni njëherë të silleni, të qëndroni, të flisni, të shpreheni, të artikuloni, të vështroni, të buzëqeshni…pastaj shfaquni aty lartë. Kjo më e pakta. Sepse tashmë e dimë se 120 nga ju e dini politikën të shani pozitën, apo opozitën. Të paktën shahuni bukur, pa belbëzuar e pa aktruar si bufonë. Që të qeshim. Të qeshim nga halli sigurisht.