Transmetuar më 13-09-2017, 12:23

Goditet një tjetër rast i tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kësaj radhe në Maliq të Korçës, ku është sekuestruar 8 kilogramë kanabis sativa.

Efektivët e policisë Korçë në bashkëpunim me shërbimet e komisariatit të policisë Maliq, bënë të mundur arrestimin në flagrancë të Mariglen Katros, 33 vjeç, banues në fshatin Lumaj dhe Lerbi Xhemollari, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Arrestimi i tyre u bë pasi, ditën e djeshme, e mërkurë, në vendin e quajtur “Përroi i Popçishtit” në Moglicë të Maliqit, dy të rinjve iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale në kushtet e flagrancës një sasi prej 8 kilogramë lëndë narkotike.

Nga ana e policisë po vijon puna, për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar në këtë veprimtari si edhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /a.y/noa.al