Transmetuar më 13-09-2017, 10:20

Një oficere policie është pezulluar nga detyra për falsifikim të formularit të dekriminalizimit. Bëhet fjalë për N/komisare M.D., me detyrë Specialiste Informacioni dhe për marrjen e kallëzimeve në Seksionin e Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se punonjësja e policisë, ka qenë më parë e dënuar me 18 muaj burg për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Këtë dënim ajo nuk e ka bërë të ditur gjatë plotësimit të formularit të dekriminalizimit për punonjësit e shtetit, duke shënuar në formular si e padënuar. Prokuroria ka kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, caktimin e masës së sigurimit personal për punonjësen e Policisë.

Gjykata në bazë të këtyre të dhënave ka vendosur caktimin e masave shtrënguese “Mosushtrim i detyrës” dhe “Detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore” për shtetasen në fjalë.

Kjo masë është marrë nën akuzën për veprën penale të “Falsifikimin e vulave, stampave dhe formularëve zyrtarë”. Strukturat e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA vijojnë punën për verifikimin e punonjësve, që mund të kenë kryer akte të paligjshme duke tentuar t’i fshehin gjatë procedurave të parashikuara në ligj.

SHÇBA ofron numrin falas 08009090 për çdo qytetar që ka informacion mbi implikimin apo shkelje ligjore të punonjësve të Policisë. /b.l/noa.al/