Transmetuar më 13-09-2017, 09:52

Ishte duke kullotur bagëtitë në arë kur një burrë i është afruar dhe ka nisur ta ngacmojë duke tentuar ta përdhunojë.

Është kjo ajo që i ka ndodhur një gruaje, në Bilisht të Korçës, e cila gjatë ditës së djeshme është shokuar kur një person ka tentuar të kryejë marrëdhënie me dhunë me të.

Policia e Korçës konfirmoi për NOA.al, se ka zbardhur ngjarjen pas denoncimit të bërë nga 42-vjeçarja, e cila ishte e vetme në fushë ku kishte dalë për të kullotur bagëtitë.

Nga hetimet e nisura pas kallëzimit të gruas, policia ka bërë të mundur arrestimin e Hysni G., 50 vjeç, banues në njësinë administrative Qendër-Bilisht.

Sipas dëshmisë së gruas, ajo e njihte 50 vjeçarin vetëm si fytyrë për shkak se ishin nga e njëjta zonë, por nuk kishte komunikim me të.

Pas denoncimit policia bëri të mundur prangosjen e 50 vjeçarit, ndërsa materialet në ngarkim të tij për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” ngelur në tentativë. /b.l/noa.al/