Transmetuar më 13-09-2017, 07:29

Pas një ditë nate maratonë diskutimesh më në fund rreth orës 07:00 të mëngjesit të së mërkurës Kuvendi ka miratuar kabinetin e qeverisë ‘Rama 2’ dhe programin e saj politik. Gjatë votimit rezultuan 78 vota pro dhe 51 kundër.

Ishte kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i cili drejtoi seancën si dhe lexoi të gjithë emrat e ministrave të qeverisë ‘Rama 2’.

Ruçi po ashtu paralajmëroi se në orën 18:00 të ditës së sotme do të mblidhen në selinë e Kuvendit për të përcaktuar datën e ardhshme të seancës parlamentare.

Programi i qeverisë u prezantua nga vetë kryeministri Rama dy ditë më parë nga foltorja e Kuvendit, ku paraqiti premtimet për 4 vitet e ardhshme.

Programi i qeverisë ‘Rama 2’ u has në kundërshtime nga kundërshtarët e tij politikë, si nga Partia Demokratike ashtu edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka quajtur një fletëpalosje me gabime e lajthitje programin qeverisës të prezantuar dje e sot nga kryeministri Rama dhe ministrat në seancë plenare.

Ndërsa kreu i PD-së, Lulzim Basha e konsideroi "boshe dhe sipërfaqësore" paraqitjen e programit qeverisës të kryeministrit Rama për 4 vitet e ardhshme.

Në një deklaratë për mediat në përfundim të seancës parlamentare, Basha tha se kryeministri Rama nuk ka një program konkret qeverisës që të përfshijë nevojat dhe interesat e shqiptarëve. /b.l/noa.al/