Transmetuar më 12-09-2017, 13:44

Ndërkohë që seanca parlamentare vijon prej shumë orësh për të diskutuar programin katër vjeçar qeverisës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, drekon me ambasadorin amerikan në vendin tonë Donald Lu.

Mësohet se kryedemokrati dhe ambasadori i SHBA, po drekojnë në një lokal në zonën e ish-bllokut në kryeqytet.

Nuk dihet ende fokusi i takimit mes tyre, ndërkohë që Basha në fjalën e tij mëngjesin e sotëm në Kuvend, deklaroi se marrëveshja e 18 majit mes tij dhe Kryeministrit Edi Rama është prishur.

Po ashtu Basha tha se aleanca e pandërprerë e Ramës me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen.

Sipas tij, zgjedhjet rikonfirmuan problemin numër një të Shqipërisë, vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të Shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës.

“Duhet të lësh krimin dhe të përqafosh vlerat. Duhet të shkarkosh Ruçin, duhet të arrestosh vëllanë e Fatmir Xhafës. Duhet ta shkarkosh Xhafën për lidhjet e tij me krimin. Duhet të arrestosh trafikantët. Duhet të heqësh kryetarët kriminalë të krimeve. Duhet të rikthesh banditët në burg?”, deklaroi Basha, duke iu drejtuar Ramës. /a.y/noa.al