Transmetuar më 12-09-2017, 12:59

Tentohet të grabitet me dhunë një banesë, ku dy bashkëshortë janë goditur me sende të forta nga autori i dyshuar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë natës së lënë pas, rreth orës 01.20 të së martës, në fshatin Viçisht të Bulqizës.

Një person i pa identifikuar ka tentuar të vjedhë një banesë, duke ushtruar dhunë ndaj kryefamiljarëve.

Mësohet një person ka hyrë në banesën e të moshuarit, I.Xh., 74 vjeç, ku ka ushtruar dhunë duke përdorur sende të forta, ndaj tij dhe bashkëshortes së tij N.Xh., 70 vjeçe, ku më pas dyshohet se ka vjedhur një aparat celular.

Ndodhur në këto kushte 74-vjeçari, ka përdorur armën e zjarrit tip automatik ku ka qëlluar në drejtim të autorit por pa pasoja.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja dhe arma e zjarrit tip automatik të cilën i moshuari e mbante pa leje. Ndërkohë 74-vjeçari si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij ka marrë disa dëmtime në trup dhe ndodhet në spitalin e Bulqizës.

Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit.

Grupi hetimor vijon hetimet në vendin e ngjarjes, ndërsa ndaj të moshuarit po vijojnë veprimet për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. /a.y/noa.al