Transmetuar më 11-09-2017, 20:27

Një prej aleatëve të Partisë Demokratike, Nard Ndoka ka vendosur të largohet nga grupi parlamentar i të djathtëve. Ky deputet mësohet se ka bërë kërkesë në Kuvend për një vendim të tillë.

Kjo lëvizje ishte deri diku e parlajmëruar më herët nga vetë z. Ndoka, i cili në një status në Facebook kritikonte Lulzim Bashën se po anashkalon aleatët.

“Z.Basha ka zgjedhur me veprimet dhe mosveprimet e tij të përfaqesoje vetëm PD-në në Kuvend duke anashkaluar aleatët e tij në zgjedhje e duke krijuar një hendek dhe frymë mosbesimi.

Kjo klimë e acartë në kampin opozitar, thellohet akoma më shumë në duelin e heshtur me një tjetër parti opozitare, LSI-në, e cila po kërkon bashkëpunim dhe axhendë të përbashkët opozitare”, ka shkruar Ndoka në Facebook.

Ai shkon më tej kur shkruan se “marrëveshja Rama-Basha e ngjizur në orët e vona të natës, po mban peng çdo gjë në politikën shqiptare, për fatin e keq edhe axhendën opozitare.

Rrodhën dy vota pa i kërkuar njeri, dy vota "tinzaresh", por situata në kampin opozitar është më e rendë se kaq”. /k.k/noa.al/