Transmetuar më 11-09-2017, 20:16

Presidenti Ilir Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut dhe projektuesit të disa veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri, Prof. Farudin Hoxha.

Presidenti i Republikës, duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjes për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme, theksoi se:

“Shqipëria dhe bota akademike humbën një figurë të shquar të shkencës dhe përfaqësues të spikatur e të denjë të plejadës së projektuesve të veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri.”

“Profesor Hoxha do të mbahet mend si një shkencëtar i rrallë e i mirëfilltë, i cili me kontributet e çmuara e thelbësore në fushën e tij të ekspertizës, projektoi e u dha jetë veprave mbresëlënëse hidroenergjetike anembanë vendit tonë, të cilat vazhdojnë të na japin dritë e të ndriçojnë shtëpitë e çdo qytetari shqiptar.I pastë dritë shpirti!” – u shpreh Presidenti Meta.

Akademiku Hoxha, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm në moshën 82-vjeçare.

Vdekja e tij erdhi pas komplikimeve shëndetësore, të cilat ishin shtuar shumë me kalimin e viteve.

Ai njihet si projektuesi i shumë veprave hidroenergjetike në Shqipëri, ndërkohë që ka qenë edhe ministër i Ndërtimit./a.k/noa.al/